17 pacientë me Koronavirus në gjendje të rëndë, po mbahen me respiratorë
Në Kosovë aktualisht po përballen me virusin Korona 3.824 qytetarë, të cilët janë konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), ndërsa numri i të prekurve me COVID-19 mund të jetë shumëfish më i lartë.
Shumica e personave të infektuar me COVID-19 po trajtohen në kushte të vetizolimit shtëpiak, ndërsa një numër i tyre me gjendje më të rënduar shëndetësore, po marrin trajtim spitalor.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar bëri të ditur sot se në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e Kosovës, janë hospitalizuar gjithsej 440 pacientë të konfirmuar me COVID-19.
Sipas njoftimit, 357 prej tyre janë me oksigjeno-terapi, 23 janë me maskë CPAP dhe 17 në respiratorë.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Koronavirusi në Kosovë ka arritur në 401 ndërsa numri total i rasteve pozitive të regjistruara prej shfaqjes së pandemisë ka arritur në 11 mijë e 416 raste. Deri më tash janë shëruar gjithsej 7.191 raste./Objektiv/