Lajme

100 ditë vetmi: Kurti si shef i qeverisë arriti të shkelë vetëm në tokën e një shteti tjetër

Për 100 ditët e Qeverisë Kurti, Kosova mbeti si një fshat i vogël e i shpërfillur që do të përplasej me miqtë e saj shkaku i një politike jovizionare e joparimore.

100 vjet vetmi titullohet një ndër veprat më madhore në letërsinë ameriko-latine nga shkrimtari e gazetari Gabriel Garcia Marquez. Njësoj quhet edhe një vepër e Sabri Hamitit, ish deputetit të LDK-së, por kjo është temë tjetër. Dhe, politika e Kurtit në raport me dialogun dhe shtetet fqinje përkon bash me zhanrin e veprës së mësipërme, atë të realizmit magjik.

Tashmë, Kosova i mbushi 100 ditë nën pushtetin e Vetëvendosjes së Albin Kurtit. Por, megjithëse vetëm 100 ditëshe, ajo ishte aq hiperaktive në politikë të jashtme sa të jepte përshtypjen e një pushteti 100 vjeçar.

Kurti kishte thyer shumë qëndrime për të marrë pushtetin. Ai kishte hequr dorë nga kundërshtimi i skajshëm kundër negociatave, kishte hequr dorë më pas edhe nga kushtet për Serbinë që të ulej në negociata që përfshinin reparacionet dhe kërkim-faljet për krimet e luftës, dhe hoqi dorë edhe nga tarifa doganore.

Por, vizioni e plani mungonte dhe në vend të tyre u duk se vendi po qeverisej prej tekeve të tij.

Tarifa dhe Reciprociteti

Kurti po hynte në pushtet me shumë qëndrime të thyera në raport me dialogun e me Serbinë. Ai hoqi dorë nga kundërshtimi i skajshëm kundër negociatave, hoqi dorë nga kushtet për Serbinë që përfshinin reparacionet dhe kërkimfaljet për krimet e luftës, dhe po ashtu hoqi dorë nga tarifa doganore.

Megjithatë, këto qëndrime të thyera e bënin Kurtin një kryeministër më të çliruar që të përfshihej në procesin negociator dhe të përmirësonte marrëdhënien e Kosovës – të përkequr në Qeverinë Haradinaj – me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova po ashtu mund të përmirësonte – potencialisht – edhe raportin me Bashkimin Evropian.

Qysh para zgjedhjeve, Kurti kishte hequr dorë nga tarifa doganore për të premtuar vendosjen e Reciprocitetit. Por, ky qëndrim do të luhatej në varësi të tekeve të tij dhe jo të një plani të qartë e konsistent për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Më 8 shkurt, Kurti do të thoshte se “tarifa hiqet PORSA vendoset reciprociteti.” Sidoqoftë, pak ditë më pas ai do të propozonte që tarifa të hiqej më 1 prill ndërkohë që reciprociteti të vendosej më 15 qershor. E fare në fund, do të vendoste që ta hiqte tarifën e ta vendoste reciprocitetin njëherësh.

Por, ky ndryshim konstant qëndrimesh në lidhje me çështjen do t’i kushtonte vendin me prishje të mëtejme raportesh me administratën amerikane të Donald Trump.

Kurti ka zhvilluar vetëm një vizitë zyrtare shtetërore deri tash, dhe atë në Republikën e Shqipërisë. Por, as kjo vizitë nuk kishte shkuar mirë. Kurti ishte përplasur me kryeministrin Edi Rama, sidomos për “Shengenin Ballkanik” ndërsa do të shihej me çehre të ngrysur.

Një tjetër vizitë planifikohej të ndodhte në Gjermani, por ja që edhe kjo vizitë nuk ndodhi pasi u anulua.

Kurti do të shkonte në Samit të Berlinit, bashkë me kryeministrat e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por paraqitja e tij nuk do të ishte aq mbresëlënëse. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq do të deklaronte se Serbia kishte qenë kampione botërore për thithje të investimeve të huaja direkte dy herë në tri vitet e fundit. Serbia përnjëmend i përfitonte 51 për qind të investimeve të huaja direkte ndërkohë që të gjitha vendet e tjera do t’i merrnin 49 për qind.

Marrëveshja me Serbinë

Në disa raste, kryeministri Kurti ka shprehur bindjen e tij – por pa ofruar ndonjë provë – se ishte arritur marrëveshja me Serbinë dhe se ajo përfshinte “ndarjen e Kosovës”. Një gjë të tillë ai do ta përsëriste e përsëriste, me aq ngulm sa për ta kundërshtuar do të lëshonin një deklaratë të përbashkët tre diplomatët kryesorë amerikanë për këtë çështje, Matthew Palmer, Richard Grenell dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Përplasja me ShBA-të do të shkonte aq larg sa dy senatorë amerikanë dhe i biri i presidentit Trump propozuan largimin e trupave amerikane nga Kosova nëse vazhdonte mos-heqja e tarifës nga Kurti që t’i hapej rruga dialogut.

Ambasadori Grenell do të deklaronte se çështja e heqjes së tarifës ishte me rëndësi për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu për bizneset e këtyre vendeve. Grenell kishte shtyrë përpara edhe dy marrëveshje të tjera në parim, njëra për fluturimet komerciale Kosovë-Serbi dhe tjetra për hekurudhat. Të dyja këto marrëveshje në parim ishin kritikuar nga Kurti.

Megjithatë, Kurti provoi të ndërtonte raport më të mirë me Bashkimin Evropian. Ai kishte provuar që BE-në ta ripërcaktonte si palën kryesore në dialog, duke krijuar afërsi me pasuesin e Federica Mogherinit, Josep Borrellin.

Kurti pra, po kërkonte negociata shtesë dhe ishte kundërshtues i marrëveshjes finale.

Por, edhe Borrelli dhe Serbia do t’ia kthente shpinën duke kërkuar që Kosova të rifillonte me shpejtësi dialogun duke e hequr menjëherë tarifën ndaj Serbisë. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian së fundi nuk do t’i dilte kundër as idesë së korrigjimit të kufijve duke e lënë Kurtin krejtësisht të vetmuar në betejën e tij politike.

Gjatë këtyre 100 ditëve, Kosova nuk do të përmirësonte raportet e saj me ShBA-të, BE-në, Gjermaninë dhe aleatët tjerë, e madje as me Shqipërinë apo vendet e tjera fqinje. I vetmi vend me të cilin Kosova mund të ketë krijuar një afërsi pak më të madhe është Bosnja e Hercegovina pas heqjes së tarifës dhe fjalëve të mira që Kurti i kishte thënë për këtë shtet. /GazetaExpress


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?