Interesante

Zbulohet një organ i ri në trupin e njeriut

Është e vështirë të imagjinohet se ende ka një pjesë të trupit të njeriut, që mjekët dhe shkencëtarë nuk kanë arritur ta zbulojnë.

Por kjo është pikërisht ajo, që një grup shkencëtarësh nga Holanda besojnë se e kanë bërë. Ata thanë se kanë arritur të zbulojnë gjëndra të neglizhuara më parë, që janë fshehur në pjesën e kafkës, përkatësisht në regjionin ku takohen zgavra e hundës dhe e fytit.

Shkencëtarët kanë zbuluar këto gjëndra, të cilat i kanë emërtuar si gjëndra tubare, gjatë një skanimi të kryer me pacientë me kancer. Ata më pas vëzhguan skanimet e kokës dhe qafës edhe të 100 individëve të tjerë dhe disektuan dy kufoma, një mashkull dhe një femër.

Zbulimi ishte mjaft magjepsës, por autorët janë ende pak skeptikë në lidhje me këtë.

“Ne nuk besojmë se është e mundur të zbulojmë një gjë të tillë në vitin 2020”, tha Valstar, autor i studimit. “Është shumë e rëndësishme, që këto prova të përsëriten me pacientë të ndryshëm dhe të bëhen eksperimente të tjera”, shtoi ai.

Gjëndrat nuk mund të shihen me metoda tradicionale siç është ultrazëri, skanimet e topografisë kompjuterike apo rezonancës magnetike. Ato ishin vërejtur vetëm kur janë përdorur disa metoda skanuese më të avancuara, që zakonisht përdoren për detektimin e kancerit të prostatës.

Sipas shkencëtarëve, duhet ende eksperimente të tjera për të konfirmuar nëse këto gjendra mund të konsiderohen si një entitet i ri anatomik dhe funksional, apo janë pjesë përbërëse të gjëndrave të pështymës./CNN