Interesante

Si i fitojnë paratë gjenitë? Ja çfarë në mëson historia

Me fat janë ata njerëz që paguhen për të bërë atë që duan. Siç e thotë edhe shprehja “Nëse gjen një punë që e do, nuk do të duhet të punosh asnjë ditë në jetën tënde!”. Por pak njerëz mund të mbijetojnë vetëm nga një punë që e dashurojnë vërtet. Artistët, shkrimtarët, muzikantët, kërcimtarët, aktorët ose koleksionistët anembanë botës dëshirojnë të fitojnë mjaftueshëm nga pasionet e tyre, që të mund ta mbajnë frymën gjallë.

Mjerisht, jeta e ka zakon të kërkojë nga ne atë që nuk duam ta japim. Pra, shumica prej nesh përfundojmë duke punuar në mënyrë që të mund të aktrojmë. E njëjta gjë vlente dikur për shumë prej artistëve, shkencëtarëve, novatorëve dhe mendimtarëve më të mëdhenj.

Gjenitë e historisë duhej të paguanin faturat dhe të ushqenin familjen, po aq sa ne të tjerët.

Sigurisht, shumë nga “njerëzit më të mëdhenj” të të gjitha kohërave patën shumë ndihmë. Ata ishin lordë ose baronesha, trashëgimtarë të pasurive, ose me titujt aristokrat. Por të tjerët kishin një prejardhje shumë më modeste. Ja 4 shembuj se si e fituan jetesën disa nga emrat më të mëdhenj në histori:

Isak Njuton

Njutoni ka qenë një nga njerëzit më të ditur dhe më inteligjentë në histori. Por familja e tij ishte fshatare, dhe babai i tij ishte një burrë i pashkolluar që nuk mund të shkruante dot as emrin e tij. Kur shkoi në Universitetin e Kembrixhit, ai duhej ta fitonte shkollimin e tij duke qenë shërbëtor i studentëve të tjerë.

Kur një epidemi murtaje i ktheu të gjithë studentët në shtëpi, Njutoni e kaloi kohën duke revolucionarizuar matematikën, optikën, fizikën dhe astronominë. Kur u rikthye në universitet iu dhanë poste të larta akademike. Por në atë kohë këto tituj nuk të dhuronin miliona. Pas vitesh punë të palodhur, presionesh nga mbreti katolik Xhejmsi II (pasi Njutoni ishte protestant) dhe një krize nervore, Njutoni vendosi të hiqte dorë nga të gjitha për t’u bërë i pasur.

Në Londër, ai përdori gjenialitetin e tij në matematikë për t’u bërë krye–bankier i mbretit. Me kursin e sotëm, ai ka të ngjarë të ketë pasur një pagë me 7 shifra. Pra, pavarësisht se shkroi atë që njihet si një nga veprat më të mëdha shkencore të të gjitha kohërave, Njutoni i fitoi paratë e tij kryesisht nga të qenit një bankier i qeverisë mbretërore.

Uilliam Shekspir

Jeta e një aktori është e vështirë. Ajo nënkupton orë të gjata pune, dhe ndonjëherë duhet të angazhohesh në 2 ose 3 shfaqje brenda ditësh. Aktorët e sotëm raportojnë nivele dukshëm më të larta të depresionit, ankthit dhe stresit sesa popullsia mesatare. Por gjërat ishin paksa më ndryshe në Anglinë e shekullit XVII-të.

Edhe pse njihet gjerësisht si shkrimtari, poeti, dramaturgu më i madh në histori, Shekspiri nuk pati një jetë luksoze me pallate, verëra dhe kuaj të mirë. Babai i Shekspirit, duke kursyer pak nga shitja e leshit në tregun e zi, i dha të riut Uilliam paratë për të blerë aksionet në kompaninë e tij të parë teatrale.

Kompania fitoi mirë, por asnjëherë aq shumë sa për ta bërë të pasur. Shekspiri nuk u pagua asnjëherë si autor i dramave, por nga fitimet e gjithë trupës së aktrimit. Nëse aktorët do të ishin të dobët, apo nëse shfaqja nuk do të vlerësohej, Shekspiri do të ishte në telashe.

Për Shekspirin ka shumë pak të dhëna. Por 2 dokumente tregojnë se ai pati 2 herë probleme me mospagimin e taksave. Nuk mund të jemi të sigurt nëse kjo ishte nga dyfytyrësia, neglizhenca apo mungesa e parave. Por dimë se në prag të vdekjes, Shekspiri jetonte në një shtëpi të mirë, por jo shumë të madhe. Ai i shiti aksionet e tij në kompaninë teatrore, për të pasur sa më shumëtë ardhura të disponueshme.

Mari Kyri

Fituese e Çmimit Nobel në dy fusha të ndryshme, Marie Curie ishte një nga 5 fëmijët e familjes, të cilën i ati e zhyti në mjerim pas një sërë investimesh të tmerrshme. Në moshën 17-vjeçare, Mari bënte 3 punë si mësuese, si lexuese për punëtorët dhe si guvernante, në mënyrë që të mund të financonte jo vetëm arsimin e saj, por edhe të motrës.

Kur shkoi në Universitetin e Sorbonës, në Paris, punonte aq shumë gjatë natës sa shpesh harronte të hante. Aty asaj iu dhanë grante të ndryshme kërkimore për të studiuar çelikun. Kur bashkëshorti i saj vdiq pasi u godit nga një karrocë, ajo mori përsipër punën e tij, dhe kështu u bë profesoresha e parë grua në Sorbonë.

Por pas fitimit të Çmimeve Nobel për fizikë dhe kimi, paratë nuk ishin më një problem për të. Me kursin e sotëm, çmimi i saj i vitit 1903 vlen afërsisht 550.000 dollarë. Dhe ajo fitoi 2 të tillë. Por në vend se t’i shpenzonte për një jetë mondane, Kyri i shpenzoi për krijimin e institucioneve kërkimore. Albert Ajnshtajni mendohet të ketë thënë: “Nga të gjithë njerëzit e famshëm, Kyri është e vetmja që nuk u korruptua nga fama!”.

Rene Dekarti

Nëna e Dekartit vdiq kur ai ishte vetëm1-vjeç. Babai i filozofit, një politikan i njohur i zonës, ishte shumë i zënë dhe shumë i varfër për t’u kujdesur për Renenë dhe vëllezërit e motrat e tij. Pasi u dërgua për të marrë një arsimim të mirë (por edhe të rreptë) tek Jezuitët, Dekarti lulëzoi si një nga gjenitë e Rilindjes.

Por netët e gjata, leximi nën dritën e qiririt, dhe zhbërja e modelit shkencor aristotelian, bërë që Dekarti të braktiste jetën universitare pas një krize nervore. Gjithsesi me intelektin e jashtëzakonshëm vijnë shumë mundësi. Ai fitoi disa para duke përdorur teorinë e probabilitetit, përpara se t’i bashkohej ushtrisë.

Atje projektoi të gjitha llojet e fortifikimeve mbrojtëse, mjetet e rrethimit dhe armët vdekjeprurëse për të ndihmuar punëdhënësin e tij, Princin Moris të Nasaut. Por me gjithë gjenialitetin e tij në shumë fusha, Dekarti e përfundoi jetën e tij në arrati dhe në mëshirën e cilitdo që do ta pranonte ta punësonte.

Punë me gjysmë kapaciteti

E vërteta e trishtueshme e gjeniut, është se ai nuk paguan faturat. Pas çdo mendimtari, zbulimi, shpikjeje apo kryevepre arti, fshihen ose orë shumë të gjata pune të lodhshme ose një trashëgimi dhe pasuri e madhe. Fakt është se gjeniut i duhet kohë dhe para për t’u rritur.

Është dëshpëruese të mendosh se sa artistë, shkencëtarë, shkrimtarë apo filozofë kemi humbur, thjesht sepse ishin shumë të zënë me punë për të ushqyer fëmijët e tyre. Sa shpesh është shpërdoruar gjenialiteti duke larë enët apo duke rregulluar shtratin?

Kjo vlen sidomos për gratë. Filozofja angleze Meri Uollstounkraft, tha dikur se nëse shoqëria i detyron gratë të jenë qytetare të klasit të dytë – të mbyllura, të paarsimuara dhe të papunësuara – atëherë përparimi do të ecë vetëm me gjysmën e kapacitetit (vetë ajo ishte me fat pasi vinte nga një familje shumë e pasur).

Nëse u jepni njerëzve më shumë mundësi, atëherë do të merrni më shumë rezultate. Bursat shtetërore, grantet universitare, patronazhi privat dhe subvencionimet e qeverisë, janë të gjitha të nevojshme nëse synohet të lulëzojnë gjenitë. Ne duhet ta bëjmë sa më të lehtë që të jetë e mundur që njerëzit e shkëlqyer të bëjnë gjëra të shkëlqyera. / “Big Think” – Bota.al


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje