Interesante

Plaku vejan e rejat e pakujdesshme

Ni babë i kish pase tre djem. Të tret i martoi e jau muer tri nuse për t’pamë t’synit kush mos me i pasë.

Nuk vanoi hiç shum e plakut i diq e shoqja. Met vejan. U munue me u martue po s’mujti. Tanë i thojshin: „I kie rejat, t’bajnë hyzmet e t’kqyrin”, e u munojshin me ja hjekë mërzinë. Edhe djemt i thojshin qashtu.

Rejat kurr s’e kthejshin kryet për plakun. Bile as me ja la kmishat s’ja lajshin. Djemt u habitshin n’punë e kujtojshin qi gratë p’e kqyrin babën, si âsht zakoni.

Baba ja nisi m’u ankue pak te djemt.

Thojke:

— Bir bre, s’po m’kqyrin rejat hiç.

Djemve u vike ranë kjo punë, por, kur i vetshin gratë e tyne, ato u thojshin:

— Valla veç âsht rrokatë baba se na nryshe s’dimë qysh m’e kqyrë se boll po munohmi përditë me tâ.

E pa baba qi djemt nuk po donë me marrë vesh qi s’p’e kqyrin gratë. Mendoi me qitë ni tërtip qysh me jau mushë mênen t’bijve. Dit pej ditsh e qiti fjalën se ja kishin vjedhë kuletën me pare
rejat e veta. U kallxoi djemve:

— Ftyra jonë na u muer se gratë e juve ma vodhen kuletën me pare.

— Shka po thue, babë, i thanë djemt. A perimë e kie?

— Po, bre bir, vallahi, bash ktu n’odë ma kanë vjedhë.

— Kur?

— Sot.

Djemt u mërziten edhe t’tret ngajten te shpija e me brimë po donë m’i nxjerrë kuletën e babës prej grave.

— Qysh, bre, zoti u marroftë! — u thanë djemt grave t’veta. — Shpejt me kallxue cilla ja keni vjedhë paret babës n’odë, se na kishi marrë ftyrën.

Reja ma e madhe tha:

— Vallahi nashta i kanë hupë, po une që dy javë s’jam kanë n’odë pej punve t’mija e s’e kam pa babën.

E dyta ja nisi e po ban be:

— Vallahi bilahi qe ni muej dit s’jam kanë n’odë e s’e kam pa babën!

Reja e tretë ja nisi e po ban be edhe ajo:

— Pasha t’ritë tem e m’u qorrofshin sytë n’kofsha kanë n’odë e n’e paça pá babën që dy muej dit.

Djemt i muerën gratë për krahi e të gjith shkuen n’odë e i thanë babës:

— Babë, që t’i prumë gratë e ngoi shka po thonë.

Gratë ja nisën e po bajnë be e i thanë qato fjalë qi jau kishin thanë burrave t’tyne.

Plaku ja nisi e po keshë.

— Ungjuni djemt edhe rejat e mija.

E nxor kuletën me pare e jau kallxoi.

— Që ku e kam kuletën. Kërkush s’ma ka vjedhë, po dashta me jau mushë mênen, more djem, qi s’janë kah m’kqyrin rejat. E që tash, kto vetë e banë ispat me gojë t’vet qi s’kan ardhë as me m’pa
me sy n’odë, njana që dy javë, tjetra që ni muej edhe e vogla që dy muej. E baba nuk kqyret kshtu. Për qetà deshta me jau mushë mênen.

Mas asaj dite rejat filluen me e kqyrë plakun si duhet.