InteresanteLajme

Interesante: Këta janë dy binjakët nga Ferizaj që për 10 vjet vozisin me një patentë-shofer

Kanë një lokal në Ferizaj, por pak kush arrin t’i dallojë se cili është njëri e cili është tjetri.

Ismajl Rexhepi dhe Bujar Rexhepi janë dy vëllezërit binjak të cilët kanë marrë vëmendje të madhe në Kosovë, pas një interviste të dhënë në emisionin “Studio A” në ATV.

Historia e tyre sa është interesante aq edhe të bën për të qeshur, marrë parasysh se këta të dy janë rritur dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të atilla që pak kush do t’i besonte.

Është Bujari ai i cili tregoi se si ndodhë që edhe gjatë orarit të punës kur dikush nga klientët ngritet për t’ua bërë pagesën i ngatërron se cili prej tyre i ka shërbyer.

Rasti më interesant e që ka nxitur komente të shumta është ai me patentën për vozitje.

Ismajli, i cili është 5 minuta më i madh se Bujari, tregon që në shkollë ka qenë pak më i mirë, e kjo i ka ndihmuar që i pari ta marrë edhe patentën për vozitje. Por kjo punë nuk duket t’i ketë sjellë ndonjë problem Bujarit pasi, marrë parasysh ngjashmërinë e madhe që kanë, ky i fundit për 10-vite rresht e ka shfrytëzuar patentën e vëllait.

“Për patentë shofer, kemi vozitë 10-vjet me një patentë. Për së dyti unë ia kam marrë patentën këtij, do të thotë, më së shumti sendet unë i kam bo. Pas 10-vjete prap unë ia kam marrë patentë shoferin këtij,” – u shpreh Ismajli.

Ata treguan se si kanë vepruar kur i ndalte policia: “Policia po na kanë ndalë, na kanë kërkuar dokumentet unë (Bujari) ia kam dhënë patentën e këtij dhe kurrë problem s’kam pasur. ‘Në rregull merrni dokumentet, edhe ditën e mirë’ – s’kanë mundur me na vërejt kurrë.”

Por binjakët 32-vjeçar nuk është se e kanë përdorur bashkë vetëm patentën për vozitje. Ismajli pohon se ata të dy kanë vetëm një pasaportë, dhe që të dy e përdorin atë për të udhëtuar.

Intervista bëhet edhe më interesante kur vëllezërit tregojnë sfidat e tyre në familje, pasi as fëmijët e tyre s’e dinë cili është babi e cili axha.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?