Interesante

Gjermanja u lë 6.2 milionë euro fqinjëve pasi vdes

Banorët e një komuniteti në qendër të Gjermanisë kanë trashëguar një pronë dhe një shumë parash në vlerë prej 6.2 milionë euro, pas vdekjes së fqinjës së tyre të moshuar.

Renate Wedel ka jetuar në Weiperfelden, distrikt i Waldsolms në Hesse, me burrin e saj që nga viti 1975, sipas një deklarate nga distrikti i Waldsolms, i cili përbëhet nga gjashtë fshatra.

Alfredi kishte vdekur në vitin 2014, ndërsa Renate e cila ishte nën kujdes në një shtëpi kujdesi në Frankfurt që nga viti 2016, ka vdekur në dhjetor të 2019-s në moshën 81-vjeç.

Në prill të këtij viti, distrikti kishte deklaruar se ishte informuar se Renate kishte lënë trashëgim para, aksione dhe gjëra me vlerë, shkruan CNN.

Motra e saj kishte kohë po ashtu që kishte vdekur.

Lajmi ishte pritur si tronditës për autoritetet, përcjell Koha. “Fillimisht mendova se kjo thjesht është e pamundur”, ka thënë majori lokal Bernd Heine për Hessenchau.

Komuniteti është i obliguar të shfrytëzojë trashëgiminë prej 6.2 milionë eurosh për “objekte dhe infrastrukturë të komunitetit”.

“Komuniteti i Waldsolms e falënderon çiftin Wedel për këtë trashëgimi të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e komunitetit.

“Ne do të merremi me të me shumë përgjegjësi, ta zhvillojmë komunitetin tonë për të mirë dhe të mbajmë një kujtim me nder për të dy ata”, thuhet tutje.

Banorët kanë dhënë disa ide se si mund të shpenzohen paratë. Heine tha se paratë nevojiten për rrugë për çiklistë, ndërtesa dhe çerdhe, ndërsa banorët sugjerojnë se paratë duhet të shpenzohen për ndonjë pishinë, transport publik dhe hapësira për fëmijët.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?