Interesante

Aty ku shkenca takohet me trillimet

Nga Adam Rutherford

Është një veçori e historisë që themelet e biologjisë moderne – dhe për pasojë, disa nga mizoritë më të këqija të shekullit XX – duhet të mbështeten kaq shumë tek bizelet. Kujtoni pak biologjinë që keni mësuar në shkollë dhe Gregor Mendelin, që këtë muaj kremton 200-vjetorin e lindjes.

Edhe pse Mendeli ishte një prift, trashëgimia e tij kryesore nuk ka të bëjë me teologjinë Augustiniane, por me shkencën kryesore të gjenetikës. Në mesin e shekullit XIX, Mendelikultivoi më shumë se 28.000 bimë bizelesh, të cilat kryqëzoheshin me lule vjollce apo lloje të tjera lulesh.

Ajo që zbuloi në atë pyll me bimë bizeleje, ishte se këto tipare trashëgoheshin tek pasardhësit në raporte të parashikueshme. Mendeli kishte zbuluar rregullat e trashëgimisë. Karakteristikat trashëgoheshin në disa njësi diskrete – ato që tani i quajmë gjene – dhe mënyra se si këto njësi kalonin nga një brez në tjetrin ndiqnin modele matematikore të rregullta.

Këto rregulla mësohen në çdo shkollë të mesme, si një pjesë thelbësore e mënyrës sesi ne e kuptojmë biologjinë themelore, gjenet, ADN-në dhe evolucionin. Vepra e Mendelit, e botuar në vitin 1866, u shfaq në të njëjtën kohë kur Darvini po hartonte Teorinë e Evolucionit.

Por ky klerik gjenial u injorua në fillim, vetëm për t’u ri zbuluar në fillimin e shekullit të ri, që e cili zgjidhi enigmën e evolucionin darvinian me gjenetikën mendeliane, duke shënuar lindjen e epokës moderne të biologjisë.

Por është një histori më pak të njohur, ajo që e diktoi rrjedhën e shekullit XX-të në një mënyrë tjetër. Origjina e gjenetikës është e lidhur pazgjidhshmërisht me eugjenikën. Duke qenë se Platoni sugjeroi çiftimin e prindërve “të cilësisë së lartë”, dhe Plutarku fliste për vrasjen e foshnjave spartane me të meta, parimet e kontrollit të popullsisë kanë qenë në fuqi ndoshta në të gjitha kulturat.

Por në kohën e industrializimit viktorian, me një klasë punëtore gjithnjë në zgjerim, dhe në vazhdën e evolucionit darvinian, gjysmë-kushëriri i Darvinit, Frensis Galton, i dha një lustër shkencore dhe statistikore gdhendjes së qëllimshme të shoqërisë. Ai e quajti eugjenikë këtë disipilinë.

Ishte një ideologji politike, e cila iu bashkë–vendos shkencës shumë të re dhe të papjekur të evolucionit, dhe u bë një nga idetë përcaktuese dhe më vdekjeprurëse të shekullit XX-të.

Britania e Madhe miratoi një ligj për sterilizimin e pavullnetshëm të “të padëshiruarve”, për të cilin bëri fushatë edhe vetë Uinston Çërçill, kur ishte pjesë e kabinetit të drejtuar nga Eskuit.

Në SHBA, politikat eugjenike nisën të miratohen që nga viti 1907, dhe gjatë pjesës më të madhe të atij shekulli në 31 shtete. Rreth 80.000 njerëz u sterilizuan nga shteti në emër të higjenës eugjenike. Eugjenika amerikane bazohej tek ligjet e Mendelit, edhe pse vetë Mendeli nuk kishte asnjë lidhje me këto politika.

E udhëhequr nga Çarls Davenport – një biolog fanatik i fiksuar pas ideve të Galtonit – Zyra e Rekordeve Eugjenike në Nju Jork, nisi në vitin 1910 promovimin e një ideologji raciste. Davenport mendonte se mund të përcaktonte trashëgiminë e tipareve të dëshirueshme duke shmangur të metat, dhe në këtë mënyrë do ta “pastronte” popullin amerikan.

Në këtë mënyrë, ai mendoi se mund t’i kundërvihej kërcënimit të imagjinuar të Teorisë së Zëvendësimit të Madh, me të cilin përballej Amerika e të bardhëve:njerëzit e padëshiruar, me pjellorinë e tyre të padisiplinuar, do të përhapin gjenet inferiore, dhe kësisoj do të zhdukin klasat sunduese.

Davenport u përpoq të shpjegonte me ligjet mendeliane të gjitha llojet e të metave të njerëzore:alkoolizmin, kriminalitetin, sëmundjet mendore. “Ligjet e trashëgimisë janë një shpresë e madhe e racës njerëzore; janë shpëtimtari i saj nga budallallëku, varfëria, sëmundja, imoraliteti” shkroi ai në vitin 1910.

Nga ajo epokë spikat një histori e veçantë. Psikologu Henri Godard kishte studiuar një vajzë me pseudonimin Deborah Kalikak në klinikën e tij në Nju Xhersi, që kur ajo ishte 8 vjeçe. Ai e përshkroi atë si një “njeri me mendje të dobët, budallaqe dhe me prirje kriminale”.

Për të zbuluar origjinën e të metave të saj, Godard prodhoi një pemë gjenealogjike të familjes Kalikak. Ai identifikoi si themelues të kësaj linje gjaku Martin Kalikak, që gjatë rrugës për në shtëpi pas përfundimi të luftës së pavarësisë, u ndal në një bar për të lënë shtatzënë një “kamariere budallaqe, por fizikisht tërheqëse”, me të cilën ai nuk pati kontakte të mëtejshme.

Në librin me ndikim vitit 1912 “Familja Kalikak:Studim mbi trashëgiminë e mendjes së dobët”, ai gjurmoi një model të përsosur të trashëgimisë Mendeliane për tiparet e mira dhe të këqija.

Familja legjitime ishte shumë e suksesshme, ndërsa pasardhësit e tij bastardë krijuan një klan kriminelësh dhe njerëzish me aftësi të kufizuara, duke përfunduar tek vogëlushja Debora.

Godard arriti në përfundimin se budallallëku i familjes Kalikak ishte koduar tek një gjen, një njësi e vetme e trashëgimisë me të meta, e transmetuar brez pas brezi, ashtu si tek bizelet e Mendelit.

Një gjenetist në kohët e sotme, do të kishte rezerva për shumë arsye. E para ka të bëjë me terminologjinë “njeri mendje-dobët”, e cila ishte një diagnozë e paqartë, pseudopsikiatrike, që ne supozojmë se përfshinte një gamë të gjerë të problemeve mendore që njihen sot.

Po ashtu, sot mund ta hedhim poshtë përfundimin e tij Mendelian, me arsyetimin se çrregullimet komplekse psikiatrike, kanë rrallë një rrënjë të vetme gjenetike, dhe ndikohen gjithmonë shumë nga mjedisi. Prania e një gjeni të caktuar, nuk do të përcaktojë rezultatin e një tipari, edhe pse mund të kontribuojë në probabilitetin e shfaqjes së tij.

Familja legjitime e Martin Kalikak ishte vërtetë e mbushur me njerëz të suksesshëm. Shumë burra të saj spikatën në mjekësi, jurisprudencë dhe si klerikë. Por Godard kishte shpikur degën e paligjshme, duke identifikuar gabimisht një burrë me emrin Xhon Uolverton si djalin e paligjshëm të Kalikak.

Në mesin e pasardhësve të Uolverton, kishte njerëz me aftësi të kufizuara. Por fotot e botuara në librin e Godard tregojnë disa nga fëmijët, me tipare të fytyrës që lidhen me Sindromën e Fetusit Alkoolik, një gjendje që përcaktohet tërësisht jo nga trashëgimia gjenetike, por nga ekspozimi ndaj niveleve të larta të alkoolit në mitër.

Pavarësisht se pema familjare ishte krejtësisht e rreme, ky rast studimor mbeti në tekstet e psikologjisë deri në vitet 1950, si një model i trashëgimisë njerëzore, dhe si një justifikim për sterilizimin e detyruar. Lëvizja gjermane eugjenike, i pati fillesat e veta në fillim të shekullit XX-20, dhe u zhvillua shumë gjatë viteve të Republikës së Vajmarit.

Në kohën e themelimit të Rajhut të Tretë nga nazistët, parime të tilla si ‘Lebensun ëertesLeben’ – jetë e padenjë për të ekzistuar –ishin një pjesë thelbësore e ideologjisë kombëtare eugjenike për pastrimin e popullit gjerman.

Një nga ligjet e para që u miratua pasi Hitleri mori pushtetin në vitin 1933 ishte Ligji për Parandalimin e Pasardhësve me Sëmundje Gjenetike, që kërkonte sterilizimin e njerëzve me skizofreni, shurdhim, verbëri, epilepsi, Sëmundjen e Hantingtonit, apo gjendje të tjera që konsideroheshin qartësisht me prejardhje gjenetike.

Zhvillimi i programeve eugjenike nga nazistët, u mbështet intelektualisht dhe financiarisht nga eugjenistët amerikanë. Gati 400.000 njerëz u sterilizuan sipas kësaj politike. Kështu, një gënjeshtër shkencore, ishte shndërruar në bazën e një gjenocidi. Shkenca ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e politizuar.

Njerëzit i drejtohen autoritetit të shkencës për të justifikuar ideologjitë e tyre. Sot, ne shohim të njëjtin model, por me një gjenetikë të re. Pas të shtënave në një shkollë në Bufalo, SHBA, në maj, pati një diskutim të forta në komunitetin e gjenetistëve, pasi vrasësi kishte përmendur një studim akademike në manifestin e tij të çmendur, disa dokumente mbi gjenetikën e inteligjencës dhe bazën gjenetike të prejardhjes hebreje, së bashku me pseudoshkencën e vazhdueshme ku bazohet Teoria e Zëvendësimit të Madh.

Shkenca përpiqet të jetë apolitike, të ngrihet mbi botët e rrëmujshme të politikës, dhe paragjykimet psikologjike me të cilat jemi të ngarkuar. Por të gjitha zbulimet e reja shkencore, ekzistojnë brenda kulturës në të cilën ato kanë lindur, dhe janë gjithmonë të ndjeshme ndaj abuzimit. Të njohësh historinë tonë, do të thotë të “vaksinohemi” kundër përsëritjes së saj. / “The Guardian” – Bota.al