Fun

Premtim i rrallë në këmbim të votave: Rënia e flokëve është problem, kandidati për president premton kurë falas

Kandidati presidencial i partisë në pushtet në Korenë e Jugut, ka hapur një debat të madh në vend këtë javë, pasi propozoi që në shërbimin shëndetësor falas, të futet edhe trajtimi i humbjes së flokëve. Propozimi u mirëprit nga disa votues, por u kritikua nga të tjerët.

Lee Jae-myung, kandidati i Partisë Demokratike, e bëri këtë premtim zgjedhor, duke thënë se rreth 10 milionë persona në vend vuajnë nga humbja e flokëve, por pjesa më e madhe e tyre porosisin ilaçe jashtë vendit, ose përdorin ilaçe për prostatën, për të shmangur kostot e larta financiare.

Në valën e kritikave ndaj kandidatit për president, në rrjetet sociale nisi të përhapej edhe një klip i shkurtër ku thuhej se Lee është kandidati më i mirë për “flokët tuaj”. Sipas disa mbështetësve të kësaj nisme, çështja meriton të trajtohet, pasi një kurë gjashtëmuajshe për rënien e flokëve kushton mbi 3 mijë dollarë. Por kundërshtarët e quajtën thjesht një agjendë populiste.

Lee, i cili dikur thoshte se dëshironte të bëhej një “Bernie Sanders i suksesshëm”, mori famë kur nisi të kërkonte një pagë minimale bazë për të gjithë popullsinë, si edhe një kundërpërgjigje më agresive ndaj pandemisë, gjatë kohës që ishte guvernator i një province.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta sesa koreano-jugorë vuajnë nga rënia e flokëve, Lee Jae-myung tha se mbulimi i shpenzimeve për këtë problem, është i nevojshëm që njerëzit të ndihen të kompletuar fizikisht.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?