Fun

Një përleshje titanike ka shpërthyer mes Tomë Gashit dhe Berat Buzhalës

Një betejë e paparë e që nuk po i shihet fundi, ka shpërthyer nëpër rrjete sociale mes avokatit të njohur Tomë Gashi dhe Berat Buzhalës, ish-drejtorit të televizionit T7. Cili do të jetë epilogu i saj? Nuk dihet. Ajo që dihet është se shkëndijat e kësaj beteje do të depërtojnë thellë në historinë dhe vetëdijen e këtij vendi. Por, për çfarë bëhet fjalë? Lexoni tekstin më poshtë.

Bota ndodhet në ethe nga ajo që po pritet të ndodh në Ukrainë.

Por, Ukraina nuk është i tërë planeti ynë. Planeti ynë ka edhe probleme dhe konflikte të tjera. Ka luftëra lokale, kryengritje, terrorizëm, varfëri, dashuri të parealizuara, shkatërrim ambienti, e çka jo tjetër.

Në krejt telashet e botës bën pjesë edhe vendi ynë, Kosova.

Mes shumë dramash që bëjnë vaki në vendin tonë të vogël: shtrenjtimi i energjisë elektrike, rasti kurioz i Prindon Sadriut, mashtrimet e Presidentes dhe deputeteve të VV’së me naftë, rënia në qafë që na bëhet nga Hysemedin Feraj e Elvis Hoxha, etj. – si të mos mjaftonin të gjithë këto ditëve të fundit na është shtuar edhe një betejë mes avokatit të njohur Tomë Gashi dhe Berat Buzhales, ish-drejtorit të televizionit T7 dhe drejtorit të ardhshëm të një portali.

Fatmirësisht, ngacmimet e ndërsjella mes Tomës e Buzhalës, po ndodhin nëpër rrjetet sociale. Motivi dihet. Kush me cilin politikan ka qenë dikur, me cilin është tash, cili ishte dhe është i miri, i moralshmi, i duhuri, e dilema të tjera.

Si nisi krejt kjo dramë?

Avokati Toma, i njohur edhe si ankthi i lypsarëve të Prishtinës, është shumë aktiv nëpër rrjetet sociale. Komenton gjithkund, në profile private dhe mediale, polemizon, provokon, bën militantizëm, e nuk janë të rralla rastet kur përpiqet te jap edhe ndonjë mendim – e gjithë kjo më qëllimin fisnik që popullit t’i përçohet fjala e mirë për idolin e tij momental, Albin Kurtin.

Hovi i Tomes dhe konsistenca e tij, si e një dëshmitari te Jehovait, e shpiu se fundi edhe në derë të Berat Buzhales. Më saktë në profilin e këtij të fundit. Edhe aty, Toma po hyn e po komenton shpesh e më shpesh.

Kjo, e ka nxitur Buzhalen t’i përgjigjet flakë për flakë.

Replikat mes tyre, pas ngacmimeve verbale për të kaluarën e njëri tjetrit, për të sforcuar argumentet kundër njëri – tjetrit, kaluan në nivelin e dokumentimit vizuel, përmes gërmimeve arkivore.

Së fundmi, Buzhala i ka publikuar Tomës një fotografi, ku në një tubim të madh të PDK’së, në qendër të fotografisë shihet Toma fytyrëqeshur duke duartrokitur i ekzaltuar përballë ish-liderit të PDK’së, Hashim Thaçit.

Kjo, nuk e ka zbrapsur aspak Tomën. Pa u stepur fare ka vazhduar me postime të tjera, ku e dëshmon afërsinë e moçme me VV’në dhe liderin e saj Albin Kurtin, deri në kohën kur as Albin Kurti nuk ishte me VV’në, por me KAN’in.

Si çdo beteje që nuk mundet të jetë tejet e lokalizuar, e aq më pak kur bëhet fjalë për përleshje titanësh, si kjo mes Tomes e Buzhales, shkëndijat sporadike të saj po prekin edhe shumë soditës të tjerë të rrjeteve sociale.

Ca po marrin krahun e Tomës e ca të tjerë të Buzhalës. Ka edhe bajatë neutralë që po mundohen të shuajnë zjarret e çapkënllëqeve mes Tomës e Buzhales.

Buzhalës ia rikthyen në kujtesë kohën kur kishte aderuar në PDK, fjalimet e tij të zjarrta për Hashim Thaçin, pastaj afrimin e tij me Albin Kurtit dhe xhirot e përbashkëta në veture deri sa e sillte atë në studiot e T7’it.

Mes shumë komentueseve, pro e kundër, edhe aktivisti dhe zyrtari i PDK’së, Bujar Cakolli, solli dy fotografi në profilin e tij, atë të Tomës duke duartrokitur, por edhe një tjetër të kohës kur Buzhala po aderonte në PDK (në foton e dytë të Cakollit, në të djathtë, me një distancë më të largët nga Thaçi se sa Buzhala, shihet edhe drejtori i Periskopit).

“E vakt he vakt, qysh po ndryshojkan senet. Me një kohë Toma edhe Beri kqyrshin sytë me ti nxjerr për Hashën, para tyne mu doke vetja si me kanë i LDK-së.”, ka komentuar Cakolli nën këto dy fotografi.

Toma dhe Buzhala, spekulohet të jenë të prekur nga sindromi i bipolaritetit politik, shumë i njohur në Kosovë dhe me shtrirje thuajse epidemike. (Për dallim nga çrregullimi bipolar, që është një sëmundje mendore serioze, bipolariteti politikë shfaqet tek personat e angazhuar publik të cilët shpejt dhe shpesh, edhe brenda javësh, kalojnë nga një ekstrem politik në ekstremin tjetër, pra nga një krah apo grup politik në një tjetër.)

Ndryshe, Toma dhe Buzhala njihen si dy figura më me ndikim në krejt ato që kanë ngjarë në 23 vjetëshin e fundit në Kosovë.

Pak gjë thuhet të ketë ndodhur në këtë vend, ku dora e tyre e padukshme të mos ketë shtrirë influencën e saj. Edhe pse jo e verifikuar, ka që thonë që ndikimi i tyre të ketë penetruar edhe përtej kufijve të Kosovës dhe Ballkanit.

Por, ndikimi i Tomës, nëse është për t’i besuar ato pak dokumente që ka shpalosur armiku numër 1 i tij, Milaim Zeka, thuhet të jetë edhe më i hershëm në këto anë (Zeka kurrë nuk shpalosë dokumentet në tërësi me qëllim që pjesa tjetër e dokumenteve të papublikuara të jetë pjesë e fantazisë sonë).

Sidoqodftë, mbetet punë historianësh të së ardhmes, të verifikojnë saktësinë e ketyre pohimeve, si për Tomën ashtu edhe për Buzhalën.

Cili do të jetë epilogu i betejës mes Tomës e Buzhales? Nuk dihet. Ndoshta, kriza në Ukrainë mund ta lë nën hije. Mund të ndodhë e kundërta. Toma e Buzhala ta lënë nën hije krizën në Ukrainë.

*Ky tekst është shkruar për rubrikën Fun të Periskopit dhe ka qëllime kryekëput zbavitëse.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?