FunInteresante

E çuditshme, në këtë vend polici shkarkohet për vetëm 90 cent

Një polic britanik është shkarkuar nga detyra, pasi mori dy pako me biskota nga një organizatë bamirësie duke paguar vetëm një të dhjetën e çmimit të caktuar.

Polici Chris Dwyer dha 10 centë në ëmbëltore dhe më pas pretendoi se e ka dhënë shumën e plotë – 1 funte, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Oficeri 50-vjeçar nga West Yorkshire më vonë e ndryshoi rrëfimin e vet dhe tha se nuk i kujtohet se çfarë monedhash ka vendosur në kutinë e bamirësisë në stacionin policor në Halifax.

Dwyer u shkarkua menjëherë të enjten, pasi përmes një seance u shpall fajtor për shkelje të rëndë në sjellje. Në seancë u tha se sjella e policit ishte “e pasinqertë dhe kishte natyrë kriminale”.

Akbar Khan, i cili e udhëhoqi panelin për shkelje disiplinore, tha se veprimi i policit ishte abuzim i besimit dhe e ka diskredituar policinë.

Dwyer ka shërbyer rreth 25 vite në forcat detare para se t’i bashkohej policisë në vitin 2017.

Raportohet se pagesën jo të duhur të policit për biskotat e kanë raportuar kolegët e tij. Pas hetimeve të mëtejme, u zbulua se ndryshimi në qarkullimin e të hollave në kuti ishte vetëm 10 centë.

Polici fillimisht pretendoi se ka vendosur 20 centë në kuti, por më vonë tha se nuk i kujtohet shuma e saktë. Një police që ishte e pranishme tha se ajo e ka dëgjuar zhurmën e vetëm një monedhe, kur kolegu i saj e kishte hedhur shumën në kuti.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?