Biznes

Zyrtare: Këto janë koeficientet e pagave për punetorët e sektorit publik

Projektligji për Paga tashmë është publikuar për diskutime publike. Ky Projektligj parasheh rregullimin e koeficientëve për paga për të gjithë zyrtarët publikë të cilët paguhen nga buxheti i shtetit.

Në këtë Projektligj që ka parë gazeta Nacionale, koeficientin më të lartë të pagës, pritet ta ketë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Osmani, nëse ky projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës, do të ketë koeficientin 18.

Aktualisht, 1 koeficient llogaritet me vlerën 120 euro, ndërsa duke llogaritur koeficientin e presidentes që është 18 me 120, i bie që Osmani pritet që ta ketë pagën bazë 2 mijë e 160 euro.

Pas presidentes, me koeficient më të lartë është kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me 17.5, shumëzuar me 120, del që paga e kryetarit pritet të jetë 2 mijë e 100 euro.

Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurori i Shtetit, pritet që të kenë koeficientin 17, që i bie të kenë pagën bazë 2 mijë e 40 euro.

Sipas Projektligjit për Paga, deputetët dhe ministrat koeficientin do ta kenë 16.4 dhe paga bazë mujore e tyre lloagritet të jetë 1 mijë e 968 euro.

Sa i përket Forcë së Sigurisë se Kosovës, edhe aty janë bërë disa lëvizje në koeficientet e pagave.

Komandanti i FSK-së do të ketë rritje të pagës dhe koeficienti i tij do të jetë 15, apo pagë 1 mijë e 800 euro.

E, Drejtori i Policisë do ta ketë koeficientin e pagës 14.5 apo 1 mijë e 740 euro. Të njëjtin koeficient pritet ta ketë edhe Drejtori i Doganës.

Sa u përket kryetarëve të Komunave dhe zyrtarëve komunalë, del që koeficienti më i lartë do të jetë për kryetarin e kryeqytetit.

Ai do ta ketë koeficientin 15 pra 1 mijë e 800 euro pagë bazë.

Teksa për kryetarët që kanë mbi 100 mijë banorë, koficienti pritet të bëhet 13.

Arsimi

Më tej, sipas Projektligjit për Paga, në Arsimin universitar dhe parauniversitar, koeficientin më të lartë pritet që ta ketë rektori me, 14.2.

Ndërkaq, drejtori i shkollës së mesme të lartë pritet që të ketë koeficientin 6.4 apo 768 euro. Teksa drejtori i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët parashihet që ta ketë koficientin 6.

Mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, koeficientin 5.8 apo 696 euro pagë bazë, ndërsa ata në arsimin fillor, do të kenë koficientin 5.6, e ata mësimdhënësit e institucioneve parashkollore koficient 5.2.

Shëndetësia

Drejtori i SHSKUK-së, pritet që të ketë koeficientin 14.

Drejtuesit e Shëndetësisë, siç është e cekur në Projektligjin për paga, pritet që koeficientin ta kenë 12.4 apo 1 mijë e 488 euro pagë bazë.

Mjek specialist, mjek specialist i mjekësisë familjare, stomatolog specialist, farmacist specialist, farmacist klinik, me koeficient 12 apo 140 euro.

Mjek i përgjithshëm, stomatolog, farmacist, me koeficient 7.4.

Teksa për ambasadorët është paraparë koeficienti 10.8.

Projektigji aktualisht është në diskutime publike dhe siç mëson Nacionale, brenda një muaji mund të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës.

Ky ligj hyn në fuqi tetë (8) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.