Biznes

Qeveria merr një vendim për duhanin, pritet shtrenjtëtim i çmimeve të cigareve!

Qeveria e Kosovës nga shtatori ta ndryshojë normën e tatimit të akcizës në duhan. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka kërkuar që të rritet kjo normë, ndërsa kjo është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Nga 1 shtatori, norma e tatimit të akcizës për cigare që përmbajnë duhan do të jetë 48 euro për kilogram. Një euro më shumë do të rritet nga 1 janari i vitit 2021. Në vitin pasues (2022), tatimi do të jetë 51 euro, ndërsa 53 euro gjatë vitit 2023. Kjo shumë që për 4 vite planifikohet të rritet gradualisht çdo vit, do të shkojë deri në 55 euro gjatë vitit 2024, raporton Gazeta Sinjali.

AAK-ja në vitin 2018, kur udhëhiqte me ekzekutivin, e kishte zvogëluar akcizën me një vendim që konsiderohej se ishte marrë në favor të biznesit të Gazmend Abrashit, nënkryetarit të AAK-së dhe njërit prej këshilltarëve kryesorë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Qeveria e Haradinajt në tetor të vitit 2018 do ta ‘korrigjonte’ një vendim të vitit 2015 për tatimin e akcizës në duhan, ku vendosej një normë e akcizës në duhan. Sipas kalendarit të akcizës që parashihej në të, norma e tatimit të akcizës për cigare që përmbanin duhan nga 2016-ta do të ishte 41 euro për kilogram, dhe për secilin vit deri në vitin 2019 do të shtrenjtohej për nga dy euro për kilogram.

Por, Qeveria Haradinaj e kishte ndryshuar këtë vendim, duke bërë që akciza prej 45 eurosh për kilogram sa kishte mbërritur në vitin 2018, të zëvendësohej me shumën prej 30% të vlerës së cigareve. Kjo vlente vetëm për cigaret që prodhoheshin brenda shtetit.

“Norma e akcizës për cigaret e prodhuara në Republikën e Kosovës (Kodin tarifor 2402 2010 11 dhe 2402 2090 11) përllogaritet duke përdorur metodën sipas vlerës (ad valorem) dhe përllogaritja bëhet në çmimin e shitjes me pakicë me normë tridhjetë (30%) për qind në vlerën shitëse me pakicë”, thuhej në vendimin që mbante nënshkrimin e Haradinajt.

Paraprakisht, më 11 shtator të 2018-s, Qeveria Haradinaj kishte nxjerrë një vendim, në bazë të të cilit aprovohej një koncept dokument për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë. Me të obligohej Ministria e Financave, ajo e Bujqësisë dhe institucionet terja kompetente që ta zbatonin vendimin. Ai kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit.

Koncept dokumenti parashihte që, në vend të akcizës, e cila për cigaret paguhej në shumë prej 45 eurosh për kilogram, ndërsa për duhanin 35 euro për kilogram, të aplikohet një taksë prej 30%.

“Përveç prodhimit të duhanit vendi ynë ka një traditë të gjatë edhe në prodhimin e cigareve. Fabrika e Duhanit në Gjilan ka një kapacitet për përpunim të duhanit prej 6,000 tonëve në vit dhe një kapacitet prodhues të cigareve prej 3,000 tonë në vit”, thuhej në Koncept Dokument.

Në shkurt, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i kishte anuluar dy vendime të Qeverisë Haradinaj me të cilat zvogëlohej akciza në duhan.

Ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi kishte konsideruar se ky vendim i Qeverisë Haradinaj e favorizonte një biznes dhe si i tillë ndikonte negativisht në treg.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19