Biznes

Punëtorët e Telekomit mund të mbesin 7 muaj pa rroga

Çdo e hyrë e Telekomit të Kosovës që nga e marta do të kalojë në llogari të kompanisë “Z-Mobile”.

Pas urdhrit për përmbarim, nga llogaritë e kësaj ndërmarrjeje janë tërhequr 3.2 milionë euro, që kanë qenë mjete që Qeveria ia ka dhënë Telekomit si ndihmë financiare gjatë pandemisë. Nëse nuk gjendet një zgjidhje ose nuk arrihet ndonjë marrëveshje në mes të palëve të përfshira, kjo do të vazhdojë derisa të arrihet vlera e borxhit prej afro 27 milionë eurove i kompanisë ndaj “Z-Mobile”, raporton KOHA.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se me të hyrat që kanë iu duhet rreth 7 muaj të punojnë me llogari të bllokuara dhe pa paga për të larë borxhin.

Ai ka kërkuar që Qeveria të gjejë një zgjidhje pa humbur kohë.

Urdhri për përmbarim është dhënë pasi që të martën nuk është arritur një marrëveshje në mes të Qeverisë, Bordit të Telekomit dhe përfaqësuesve të “Z-Mobile”. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Bordi ka refuzuar të pranojë marrëveshjen për shlyerje të borxhit dhe zhbllokim të llogarive deri më 1 tetor. Pas kësaj Bordi ka dhënë dorëheqje, duke vlerësuar se kanë qëndrime të ndryshme nga aksionari dhe se e kanë parë që mundësi të ndryshimit të tyre nuk ka.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?