Biznes

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në përkrahje të rritjes së eksportit

Heiner Benzing, ekspert i Senior Expert Service Bonn gjatë muajve gusht dhe shtator do të jetë i angazhuar në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare për një periudhë tri-javore.

Benzing ka 38 vjet përvojë pune në udhëheqje të ndërmarrjeve dhe zhvillimin e eksportit në Gjermani. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë do ta përkrahë menaxhmentin e OEGJK-së në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në këshillim për eksport dhe do t’iu ofrojë firmave anëtare të OEGJK-së takime individuale, për t’i këshilluar në rritjen e eksportit të tyre për në Gjermani.

Drejtoresha e OEGJK-së Nora Hasani tregon që Oda në vazhdimësi ka ndihmuar firmat anëtare që ta shfrytëzojnë më mirë potencialin e tyre për eksport në Gjermani, duke dhënë kështu një kontribut në uljen e deficitit të lartë në bilancin tregtar të Kosovës me Gjermaninë.

“Kosova ka potencial të madh për ta shumëfishuar eksportin e saj në Gjermani. Këtë më së miri e ilustrojnë statistikat e fundit të Entit Federal Gjerman të Statistikave, sipas së cilit gjatë gjysmë vjetorit të parë 2018, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitin paraprak, vërehet një rritje mbresëlënëse prej 28% të eksportit për në Gjermani”, thekson Hasani duke iu referuar të dhënave nga publikimi i fundit i Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane.

Sipas Entit Federal Gjerman të Statistikave, Kosova në periudhën Janar-Qershor 2018 ka eksportuar mallra në Gjermani në vlerë prej 11 276 000 Euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ku ka eksportuar 8 807 000 Euro.

“OEGJK përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështetë në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman”, shpjegon Hasani.

Gjatë vitit 2017, OEGJK ka trajnuar 374 përfaqësues të ndërmarrjeve anëtare dhe jo-anëtare përmes “Kurseve të Promovimit të Eksportit” në: procedura të eksportit, procedura për standardizim dhe certifikim, menaxhim, qeverisjen e korporatave, përgatitje për takime biznes me biznes dhe marketing. Për shkak të kërkesës së madhe, këto trajnime vazhdojnë të ofrohen edhe në vitin 2018 dhe mbështeten nga Qeveria Gjermane përmes Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman, në kuadër të projektit “Krijimi i Punësimit përmes Promovimit te Eksportit”. /Telegrafi/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?