Biznes

Në një bankë në Kosovë, deponohen 656 monedha 2-euroshe false

Rastet e falsifikimit të parave po vazhdojnë të raportohen me të madhe në Policinë e Kosovës. Në raportin 24 orësh, Policia ka bërë të ditur se një rast i tillë është raportuar edhe dje në Graçanicë. Atje, ankuesja punëtore e bankës, ka njoftuar se pas deponimit të parave nga zyrtarët të një kompanie, gjatë verifikimit 656 monedha në vlerë 2 euro kanë rezultuar të falsifikuara.

Monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar. “Fsh. Preoc, Graqanicë 23.01.2023 – 11:00. Ankuesja punëtore e bankës, ka njoftuar se pas deponimit të parave nga zyrtarët të një kompanie, gjatë verifikimit 656 monedha në vlerë 2 euro kanë rezultuar të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Kutojmë se kompania rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka disa ditë që ka ndaluar marrjen e kësaj monedhe nëpër të gjitha arkat që ka në Prishtinë. Vendimi ka ardhur pasi bankat ia kanë refuzuar një shumë parash kësaj ndërmarrjeje, për arsye se ato ishin false.

“Kemi konsumatorë që shpeshherë që 100 apo 200 euro i paguan me monedhat metalike prej 2 eurove. Kështu që e kemi ndaluar dhe tani po presim të shohim se çfarë do të ndodhë…Kemi pasur rast kur arkëtari ka shkuar t’i dorëzojë paratë në bankë dhe i kanë dalë false dhe ai është detyruar që nga xhepi i vet të paguajë atë shumë të monedhave false, sepse nuk e kemi ditur sepse nuk kemi pasur aparat verifikues të monedhave”, kishte thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit.