Biznes

Nafta vetëm se po shtrenjtohet në Kosovë, ekonomistët e kanë një propozim për uljen e çmimit

Aktualisht në Kosovë, një litër naftë kushton 1.65 euro, kurse benzina po tregtohet me 1.45 euro.

Ditëve në vijim nuk dihet nëse do të ketë ngritje akoma më shumë të çmimit të karburanteve apo edhe zbritje të tyre.

Kryenaftëtari Fadil Berjani tregoi arsyen.

“Çfarë çmime do të kemi ne ditët në vijim nuk mund të themi sepse ka lëvizje të çmimeve në berzë”, theksoi Berjani për “Front Online”.

Çmimet aktuale të derivateve, ekonomistëve po u duken të larta, andaj ata propozojnë që akciza për këto lëndë djegëse të hiqet krejt për një kohë.

Kjo do të ulte çmimin, sipas Musa Limanit.

Akciza është tatim indirekt në mallra të cilat konsiderohen si mallra që kanë kosto shtesë për qytetarët dhe nuk janë esenciale.

“Ndërkaq, unë si makroekonomist, për ndërhyrjen e Qeverisë në uljen e ngritjes së çmimeve të naftës dhe derivateve të naftës, rritja e të cilave reflektohet në shumë sektor, si masë e politikës fiskale në uljen e çmimit të përkohshëm të naftes dhe derivateve të saja, nga ana e Qeverisë, duke mos lënë anash edhe masa e instrumente të tjera, do të ishte, ulja apo heqja e akcizës”, theksoi ekonomisti Limani për “Front Online”.

Kjo po kundërshtohet nga Shoqata e Naftëtarëve.

“Nuk është gjendje emergjente te ne në Kosovë, që të ndërhyhet në ulje të akcizës. Në Shqipëri 1 litër diezel është mbi 2 €”, pohoi kryetari i saj Berjani për “Front Online”.

E ekonomisti tjetër Mustafë Kadriaj del me një propozim tjetër.

“Përjashtim nga akciza duhet të ketë vetëm tek bujqit. Nuk bën tek tjera kategori se nëse hiqet akciza ku po jetë arka e shtetit”.

Ndryshe, naftëtarët vazhdimisht kanë kërkuar që të rishikohet vendimi i Qeverisë së Kosovës që përcakton çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të naftës, duke paralajmëruar se nëse nuk ndodh kjo shumë pika karburanti në Kosovë mund të falimentojnë.

Qeveria e Kosovës më 1 mars kishte marrë vendim që te shitësit me shumicë të vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërsa te shitësit me pakicë të vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?