Biznes

Mediat ndërkombëtare: Kosova godet Serbinë me taksën prej 100%

Mediumi britanik BBC ka raportuar për taksën prej 100 për qind që ka vendosur Kosova ndaj importit të prodhimeve serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina, duke e konsideruar si një goditje ndaj Serbisë.

BBC shkrimin e ndërlidh me dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

“Tensionet mes dy vendeve u rritën më 6 nëntor kur Kosova vendosi një tarifë prej 10 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kosova u ankua për një fushatë të ashpër të kryer nga Serbisë. Ata dështuan të anëtarësohen në INTERPOL edhe pse kishin shpenzuar për lobim 1.2 milionë euro”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

BBC e citon në detaje vendimin e Qeverisë së Kosovës, për të larguar nga shitja produktet që nuk i referohen Kosovës si shtet.

“Kosova goditi përsëri të mërkurën duke çuar tarifën në 100 për qind për Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Autoritetet gjithashtu vendosën që të heqin nga raftet produktet që nuk i referohen Kosovës si Republikë”, vijon artikulli.

Gjithashtu edhe mediat e huaja amerikane, britanike, franceze dhe të tjera kanë shkruar për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës

Edhe mediumi Reuters, thotë se nga vendimi i Qeverisë së Kosovës u kërkua gjithashtu të ndalohet hyrja e ndonjë malli që nuk e ka adresuar Kosovën me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës, të cilën Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin.

Dy javë më parë Kosova kishte vënë një taksë 10 për qind të importit për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Bashkimi Evropian i kishte bërë thirrje Kosovës që ta ndryshojë këtë vendim. /Telegrafi/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?