Biznes

Ky është plani i Qeverisë Kurti për ndërhyrje në tregun e naftës

Qeveria e Kosovës pritet të ndërhyjë në rregullimin e çmimit të derivateve, pas luhatjeve të shpeshta kohëve të fundit të çmimit të benzinës dhe atij të naftës. Të mërkurën, çmimi i naftës Kosovë arriti në nivele rekorde, duke shkuar deri në 1.92 euro.

Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin, i cili parasheh kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Sipas vendimit 2 cent do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 8 eurocentë për njësi të produktit të shitur me pakicë nga importuesi ose subjekti i ndërlidhur

Ndërsa 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese.

Kjo do ta ulte çmimin aktual të derivateve për 12 centë.

Pavarësisht nga neni 6 i këtij vendimi, vendoset menjëherë rregullimi i çmimeve përmes kufizimit të marzhës tregtare si vijon:

1.1. dy (2) eurocentë për njësi të produktit të shitur me shumicë;

1.2. tetë (8) eurocentë për njësi të produktit të shitur me pakicë nga importuesi ose subjekti i ndërlidhur;

1.3. dhjetë (10) eurocentë për njësi të produktit të shitur me pakicë nga subjekti që nuk është importues ose subjekt i ndërlidhur.

Ndryshe, pasi çmimet e derivateve në vend arritën në nivel rekord, ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Nga kjo Ministri kanë thënë se janë duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës “që do të mbrojnë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT’, vendimarrja pritet të ndodhë shpejt. Thonë se drafti tashmë është gati dhe se po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”, ka njoftuar Ministria.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje