Biznes

Kosovarët të “zhytur” në kredi, 1.73 miliardë euro vlera e përgjithshme në periudhën janar-nëntor 2022

Numër i madh i qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë të varur nga kreditë bankare. Si shkak i shumë problemeve ekonomike në vendin tonë, shumë prej qytetarëve nuk arrijnë dot të sigurojnë as banimin pa pasur një kredi.

Kësisoj, thuajse të gjithë janë në kredi qoftë ajo për banim, për ndonjë biznes, apo edhe arsye të tjera deri tek ato shëndetësore. Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Bankën Qendrore të Kosovës.

Nga BQK është theksuar se bazuar në raportet e gjeneruara nga sistemi i RKK-së, numri i kredimarrësve aktual për periudha të caktuara është nga data 1 janar 2022 deri më 23 dhjetor 2022 numri i kredimarrësve është 118 mijë e 427.

Prej: 2021-01-01 Deri: 2021-12-23 116,090

Prej: 2022-01-01 Deri: 2022-12-23 118,427

Në kuadër të vlerës së kredive, nga Banka Qendrore e Kosovës kanë bërë të ditur se në periudhën janar-nëntor 2022 vlera e përgjithshme e kredive ka arritur prej rreth 1.73 miliardë euro.

“Vlera e kredive të reja në periudhën janar-nëntor 2022, arriti në shumën prej rreth 1.73 miliardë euro.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (janar-nëntor 2021), vlera e kredive të reja ishte 1.2 miliardë euro”,thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Të pyetur nëse shumë prej bankave në Kosovë janë “dënuar” në çfarëdo forme për shkak të keqpërdorimeve ndaj klientëve, nga BQK nuk kanë dhënë të dhëna të tilla.

Nga Banka Qendrore e Kosovës vetëm kanë bërë të ditur se në rastet kur BQK-ja evidenton se një institucion financiar vepron në kundërshtim me aktivitetin për të cilin është licencuar nga ana e BQK-së, ndërmerren veprime dhe masa administrative, konform legjislacionit në fuqi.

Por pavarësisht numrit të madh të kredive, si dhe shifrave të larta të parave të cilat marrin me kredi kosovarët, të njëjtit thuhet të jenë të saktë në pagesa.

Sipas BQK-së, ndër vite ka pasur trend stabil të pagesave dhe se ato janë kryer në përgjithësi në kohën e përcaktuar nga bankat në fjalë.

E sipas të dhënave të ofruara ndër vite, trend të rritjes së marrjes së kredive pati pas vitit 2018.

Madje kreditë e shumta u dhanë edhe pas pandemisë COVID-19, ku shumë prej kosovarëve siç ndodhi edhe në shumë vende të botës patën probleme të shumta financiare./Lajmi.net/