Biznes

Gjermania kritikon politikën e sanksioneve tregtare të Trumpit

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka kritikuar ashpër presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për imponimin e papritur dhe të njëanshëm të sanksioneve kundër partnerëve tregtarë si Turqia, Kina dhe Rusia.

Duke folur në Konferencën vjetore të Ambasadorëve në Berlin, ministri Maas u zotua se do të marrë masa për të mbrojtur kompanitë evropiane nga sanksionet e njëanshme.

“Politika e sanksioneve të Uashingtonit na detyron neve evropianëve që të formulojmë një përgjigje. Sepse ndikon tek ne në Gjermani dhe Evropë, kur SHBA-të imponojnë në mënyrë të papritur dhe në mënyrë të njëanshme sanksionet e papërcaktuara shpesh kundër Rusisë, Kinës, Turqisë dhe ndoshta në të ardhmen kundër partnerëve tanë të tjerë të rëndësishëm tregtarë”, deklaroi Maas.

LEXO EDHE:  Qesharake: Paga mesatare neto në Kosovë u rrit për vetëm 14 euro

Ai argumentoi se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të ndërmarrin hapa të përbashkët kundër dominimit të SHBA-ve në financat globale dhe propozoi një alternativë evropiane ndaj sistemit të pagesave SWIFT të dominuara nga ShBA-të.

“Ne duhet të forcojmë më tej autonominë dhe sovranitetin e Evropës në fushat e tregtisë, ekonomisë dhe financave. Nuk do të jetë e lehtë, por ne tashmë kemi filluar të punojmë në të. Ne jemi duke punuar në propozime për të krijuar kanale të pagesave të pavarura dhe krijimin e një Fondi Monetar Evropian”, theksoi Maas. /Telegrafi/