Biznes

Gjermania kampione në suficit tregtar, SHBA në deficit

Në parashikimet e Institutit të ekspertëve gjermanë në ekonomi (IFO) për vitin 2018, thuhet se Gjermania do të ketë për shkak të eksportit të lartë edhe sivjet një suficit vjetor prej rreth 299 miliardë dollarë dhe kështu për herë të tretë radhazi do të jetë kampione e botës në suficit.

Ekspertët nga Mynihu thonë se në vendin e dytë do të jetë Japonia me rreth 200 miliardë dollarë suficit, ndërsa e treta Holanda me 110 miliardë dollarë.

“Në anën tjetër, SHBA do të jetë edhe sivjet vendi me deficitin më të lartë me rreth 420 miliardë dollarë amerikanë”, thotë eksperti i IFO, Christian Grimme.

Këto të dhëna kanë shkaktuar edhe debate politike. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar së fundi shumë hapur ekonominë gjermane për suficite tepër të larta në bilancin mes eksportit dhe importit, që sipas tij shkon në dëm të ekonomisë amerikane. Ky është edhe shkaku pse Trump ka kërcënuar me rritjen e doganave për industrinë e automjeteve, që përbën edhe pjesën më të madhe të eksportit të Gjermanisë.

Kritika në adresë të Gjermanisë kanë ardhur jo vetëm nga SHBA por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Evropian. Suficiti mesatar i disa viteve të fundit prej rreth 6 për qind është në shtigje afatgjata i dëmshëm për stabilitetin, sepse shtohen dallimet mes vendeve dhe vendet me deficit duhet të futen gjithnjë e më shumë në borxhe. IFO pohon se suficiti gjerman në vitin 2018 do të jetë 7.8 për qind, që është vetëm 0.1 për qind më pak se në vitin 2017. Plusi më i madh shënohet në sektorin e mallrave. Vlerësohet se eksporti i Gjermanisë këtë vit do të jetë më i lartë se importi me rreth 265 miliardë euro.

“Kërkesat më të mëdha për mallrat gjeramne kanë ardhur sivjet nga vendet e zonës së Euros, pastaj nga vendet tjera të BE-së dhe nga SHBA-ja”, thotë Grimme.

Poblemet mund të shtohen në momentin kur vendet e tjera nuk janë në gjendje t’i financojnë kërkesat financiare dhe interesat bankare. Por këtë zhvillim mund ta influencojnë edhe pagesat që duhet të bëjnë në vendet tjera si dhe shërbimet, të cilat sivjet do të shënojnë një rënie të përgjithshme prej 63 miliardë Euro.

Kina si kampione e botës në eksport nuk do të jetë këtë vit në mesin e tre vendeve me sifucitin më të lartë ekonomik, në radhë të parë për shkak të rritjes së doganave amerikane për prodhimet kineze.

“Kina është e detyruar më 2018 të importojë më shumë dhe të eksportojë më pak, ndaj edhe suficiti ka rënë. Kina ka eksportuar më shumë në Evropë sesa në SHBA”, shpjegon Grimme. /DW/ Telegrafi/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?