Biznes

Fitimet me kriptovaluta dhe rrjete sociale – Ministria e Financave bën thirrje për deklarimin e të ardhurave personale

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se qytetarët tash e tutje duhet t’i deklarojnë të hyrat e tyre edhe kur lëshohet lokali me qera, të ardhura tjera nga burimet nga jashtë dhe të hyrat e tjera.

Murati në një konferencë për media, ka thënë se formulari për plotësim është aktiv edhe online në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës dhe afati për deklarim për vitin e kaluar është deri më 31 maj.

“Plotësimi i deklaratës personale për tatim vjetor, shembull të ardhurat nga qeraja duhet të deklarohen. Formulari është në mënyrë elektrike, të ardhura nga burimet nga jashtë apo burime nga jashtë. E ardhura tjetër nga fitimi kapital, është që bëhet nga shitblerja me letrave më vlerë, shitja e kriptovalutave”, tha Murati.

I pari i financave ka përmendur shembullin e lëshimit të shtëpisë apo banesës me qira ndaj një entiteti që nuk deklaron tatim dhe nuk e ka pasur në burim tatimin.

“Rëndom te qiradhënia, bizneset e ndalin tatimin ndërsa personat fizikë nuk e kanë këtë tendencë, prandaj obligohen ndaj pagesës së tatimit”, ka theksuar ai.

Përveç qirasë, të hyra pa Tatim në Burim janë edhe:
Fitimet kapitale – shitblerja e paluajtshmërisë, letrave me vlerë, kriptovalutave apo shitja e aksioneve
Burimet nga jashtë – ku përfshihen punonjësit brenda dhe jashtë shtetit ndaj të cilëve punëdhënësi nuk ka shumë detyrime (freelancers) apo edhe të ardhurat nga rrjetet sociale, përfshirë YouTube, Google

Murati ka thënë se llogaritet që rreth 10 për qind duhet të jetë vlera tatimore që secili qytetar obligohet ndaj shtetit, duke theksuar se obligimi tatimor ka ekzistuar edhe më herët, mirëpo tani vetëm po kërkohet që të zbatohet ligji.

Sipas tij, ata që nuk e paguajnë tatimin mund të trajtohen si raste të evazionit fiskal. /Telegrafi/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje