Auto

Rënie e kërkesës e frikë nga konkurrenca, Tesla ul dukshëm çmimet në SHBA e Evropë

Kompania e veturave elektrike, Tesla, ka uluar çmimet e veturave të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë deri në një të pestën pasi po përballet me rënie të kërkesës dhe rritje të konkurrencës, shkruan The Guardian.

Prodhuesi amerikan i veturave rriti shitjet për 40 për qind gjatë vitit 2022 në 1.3 milionë, duke e bërë atë prodhuesin më të madh në botë të veturave elektrike me bateri të pastra, përpara BYD-it të Kinës. Megjithatë, investitorët kanë filluar të shqetësohen se rritja e shitjeve do të kufizohet nga ngadalësimet ekonomike në disa nga tregjet kryesore të saj.

Prodhuesit e veturave në gjithë botën po rrisin prodhimin e automjeteve elektrike për të respektuar ndalimet për motorët me djegie të brendshme që do të hyjnë në fuqi në fund të dekadës. Tesla po përballet me konkurrencë nga rivalë të rinj që po prodhojnë vetëm me energji elektrike si Lucid, Fisker dhe Polestar, si dhe veturat elektrike nga markat e njohura prej kohësh si Volkswagen, General Motors dhe Hyundai.

Shqetësimet kanë kontribuar që aksionet e Teslas të bien në vlerësimin e tregut që kur pati një entuziazëm të madh mes investitorëve në vitin 2021. Vlera e tregut të Teslas ka rënë me më shumë se dy të tretat, nga 1.2 trilionë dollarë në nëntor 2021 në më pak se 400 miliardë dollarë aktualisht.

Rënia e vlerës ka bërë që Elon Musk, shefi ekzekutiv dhe aksioneri kryesor i saj, nuk është më personi më i pasur në botë dhe ka thyer rekordin botëror për humbjen më të madhe të pasurisë personale në histori, sipas një raporti të rekordeve botërore Guinness. Blerja e Twitterit nga Musku gjithashtu mendohet të ketë kontribuar në rënien e vlerës së prodhuesit të veturave.

Çmimi i veturës më të lirë Model 3, ra për 5.500 funte në 42.990 funte. Crossoveri më i lirë, Model Y, ra ngjashëm në 44.990 funte. Ulja më e madhe u aplikua për versionin më të shtrenjtë, Performance. Çmimi i tij u ul për 8 mijë funte, në 59.990.

Në SHBA, versioni fillestar i Modelit Y tani kushton 52.990 dollarë nga 65.990, që është një rënie prej 20 për qind. Kjo do të thotë se automjeti tani kualifikohet për kredi tatimore në SHBA.

Analistët kanë thënë se tani është e qartë që ka një luftë të çmimeve të veturave elektrike midis prodhuesve. /Koha.net