Auto

Për herë të dytë në tre muaj, Tesla ul çmimet

Prodhuesi amerikan i veturave elektrike, Tesla, uli të shtunën çmimet në Kinë për herë të dytë në më pak se tre muaj për shkak të kërkesës më të dobët në tregun kinez.

Prodhuesi amerikan i veturave uli gjithashtu çmimet e automjeteve elektrike më të shitura Model Y dhe Model 3 në Japoni, Korenë e Jugut dhe Australi në një përpjekje për të rritur kërkesën për vetura nga fabrika e saj në Shangai, qendra e saj më e madhe e prodhimit, raporton Reuters.

Aksionet e Teslas u rritën me 2.5 për qind sot, në 113.06 dollarë. Deri në fund të vitit të kaluar, Tesla i ka mbajtur të qëndrueshme çmimet e automjeteve apo edhe i ka rritur për shkak të kërkesës së lartë.

Shefi i Teslas, Elon Musk, ka thënë muajin e kaluar se ndryshimet radikale në normat e interesit kanë ndikuar në përballueshmërinë e të gjitha veturave, të reja dhe të përdorura, dhe se kompania mund të ulë çmimet për të mbajtur prodhimin në rritje.

Ulja e fundit e çmimeve në Kinë, së bashku me një tjetër në tetor dhe stimujt e fundit për klientët kinezë, do të thotë se çmimet e Teslas kanë rënë me 13 deri në 24 për qind që nga shtatori.