Auto

Nga ky vit BE-ja ndalon shitjen e veturave me naftë

Ligjvënësit evropianë kanë arritur një marrëveshje për të ndaluar shitjen e veturave dhe furgonëve të rinj me motorë me djegie të brendshme, naftë e benzinë, nga viti 2035, shkruan AutoExpress.

Marrëveshja ndërmjet përfaqësuesve të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian u arrit në kuadrin e paketës “Fit for 55” të Bashkimit Evropian për të reduktuar emetimet neto të gazeve serrë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030.

Ligji i ri parashikon një reduktim 55 për qind për veturat e reja dhe 50 për qind për furgonët e rinj deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2021, si dhe një reduktim 100 për qind të emetimeve të CO2 deri në vitin 2035. Kjo në fakt nënkupton ndalimin e shitjes së veturave të reja me motorë me djegie të brendshme.

Transporti përbën 30 për qind të emetimeve totale të gazeve serrë në BE dhe pothuajse dy të tretat e naftës së përdorur në BE, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Josef Sikela, ministër i Industrisë dhe Tregtisë i Republikës Çeke, i cili aktualisht kryeson Këshillin Evropian, shtoi se marrëveshja “do të hapë rrugën për një industri moderne dhe konkurruese të veturave në BE”.

“Bota po ndryshon dhe ne duhet të qëndrojmë në ballë të inovacionit. Besoj se mund të përfitojmë nga ky tranzicion teknologjik. Afati kohor i parashikuar gjithashtu i bën qëllimet të arritshme për prodhuesit e automjeteve”, shtoi ai.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord. “Greenpeace” ka kritikuar afatin deri më 2035 dhe thekson se është “shumë vonë” dhe se nuk përmbush detyrimet e bllokut për klimën.

“BE po ndjek një rrugë që përfundon në katastrofë. Afati i vitit 2035 për heqjen graduale të veturave me motorë me djegie të brendshme nuk është e shpejtë. Veturat e reja me motorë SUS duhet të ndalohen të paktën deri në vitin 2028”, ka thënë aktivistja e Greenpeace, Lorelei Limousin.

Prodhuesit evropianë të veturave thanë se BE-ja do të duhet të përshpejtojë tranzicionin për ta bërë atë të realizueshëm.