Auto

Kosova, vendi evropian më i lirë për mbushjen e makinave elektrike, kaq kushton një mbushje

Danimarka është vendi me koston më të shtrenjtë të karikimit të automjeteve elektrike (EV), me mesatare prej 36,17 euro për një mbushje, ndërsa kostoja mesatare për 100 km është 10,53 euro.

E për dallim nga Danimarka, Kosova është vendi me koston më të lirë për karikimin e automjeteve elektrike, transmeton Klankosova.tv.

Sipas të dhënave të Switcher.ie, mbushja e një veture elektrike në Kosovë kushton vetëm 3,92 euro.

Në fund të vitit 2022, kostoja mesatare e një udhëtimi rrugor 100 km në Evropë u rrit me 21% krahasuar me gjysmën e parë të vitit – dhe tani kushton 4,02 euro kundrejt 3,32 euro.

Hulumtimi i ri nga Switcher.ie zbulon kostot e përditësuara të karikimit të një automjeti elektrik (EV) në të gjithë Evropën, nga vendet më të lira tek ato më të shtrenjta.

Pavarësisht shtrenjtimit të energjisë elektrike, shitjet e makinave EV, të cilat mund të jenë deri në 75% më të lira se benzina ose nafta, vazhdojnë të rriten.

Danimarka dhe Belgjika janë ende vendet më të kushtueshme për të karikuar një EV në Evropë, ndërsa edhe vende si Çekia, Rumania dhe Letonia janë futur në top 10 listën e vendeve më të shtrenjta.

Kosova ishte vendi më i lirë për të mbushur një EV që kushtonte mesatarisht 3,92 euro për karikim: 32,25 euro më pak për karikim se Danimarka, e cila ishte më e shtrenjta.

Top 10 vendet më të shtrenjta për të karikuar një makinë elektrike në Evropë:

  1. Danimarka
  2. Belgjika
  3. Çekia
  4. Italia
  5. Rumania
  6. Gjermania
  7. Spanja
  8. Qipro
  9. Irlanda
  10. Letonia

Top 10 vendet më të lira për të karikuar një makinë elektrike në Evropë:

  1. Kosova

Kostoja mesatare e karikimit: 3,92 €

Kostoja mesatare 100 km: 1,14 €

  1. Gjeorgjia
  2. Serbia
  3. Bosnjë dhe Hercegovina
  4. Shqipëria
  5. Mali i Zi
  6. Maqedonia e Veriut
  7. Hungaria
  8. Bullgaria
  9. Malta

Drejtori komercial i Switcher.ie Eoin Clarke tha se hulumtimi i fundit zbuloi se kostoja e karikimit të një makine elektrike është rritur në shumicën e vendeve të BE-së.