Auto

Ëndrra turke: Prodhuesi i veturave synon të rivalizojë gjigantët botëror

Gurcan Karakas, drejtor i prodhuesit të parë të veturave turke Togg, foli për qëllimet ambicioze të kësaj kompanie automjetet e së cilës do të fillojnë të shiten vitin e ardhshëm, shkruan DailySabah.

Prodhimi masiv i modelit të Togg, një SUV elektrik, filloi muajin e kaluar dhe duhet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2023. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më herët se vendi po i afrohet përmbushjes së një ëndrre të gjatë kombëtare, që është sipas tij, të kesh një markë veturash vendase. Karakas theksoi se bëhet fjalë për një automjet të avancuar teknologjikisht, çmimi i të cilit do të bëhet i ditur në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Togg do të ketë një çmim konkurrues në klasën e tij, i cili vlen edhe për automjetet që kanë motor me djegie të brendshme. Porositë do të pranohen nga shkurti 2023”, u tha ai gazetarëve në fabrikën e Toggit në rajonin e Bursës në Turqinë veriperëndimore.

Ai bëri të ditur se veturat e para do të jenë në rrugë nga marsi. Automjeti prodhohet nga një konsorcium prej pesë kompanish turke, i cili quhet Iniciativa e Grupit Automotive të Turqisë (Togg). Partneri i tyre është Shoqata e Dhomave dhe Rezervave të Mallrave të Turqisë.

Karakas theksoi se ky është një projekt me një investim prej 3.5 miliardë eurosh që do të realizohet në 15 vjetët e ardhshme. Nga kjo shumë deri në fund të vitit të ardhshëm do të investohen 1.8 miliardë euro.

Përveç SUV-it, Toggi do të fillojë të prodhojë edhe katër modele të tjera deri në vitin 2030 – sedan, hatchback, B-SUV dhe B-MPV. Qëllimi është të prodhohen një milion automjete në tetë vjetët e ardhshme. Karakas njoftoi se 30 mijë vetura do t’u shiten institucioneve publike turke deri në vitin 2035.

Sipas tij, kapaciteti aktual i prodhimit është 100 mijë vetura në vit dhe pritet të rritet në 175 mijë, që do të jetë kapaciteti i plotë i prodhimit. Kjo duhet të rrisë numrin e punëtorëve nga 1400 në 4300.

Pretendohet se 51 për qind e pjesëve prodhohen në Turqi dhe se 75 për qind e furnizuesve janë nga Turqia. Si synim tjetër ai vuri në dukje se në tre vjetët e ardhshme 61 për qind e pjesëve do të jenë prodhim vendas. 20 mijë vetura duhet të dorëzohen vitin e ardhshëm.

Togg është projektuar nga shtëpia italiane e dizajnit me famë botërore Pininfarina, e cila ndër të tjera ka projektuar disa modele Ferrari. Prodhuesi turk ka një kontratë me një kompani tjetër globale, Farasis, për ndërtimin e një fabrike baterish në Bursa. Togg do të krijojë një rrjet stacionesh për karikimin e automjeteve në Turqi, dhe rrjeti do të përbëhet nga më shumë se 1000 stacione. /Koha.net