Sporti

Muriçi i pakalueshëm në debutimin e tij me Nottinghamin

Portieri kosovar, Arijanet Muriçi, e zhvilloi sonte ndeshjen e tij të parë për klubin e ri, Nottingham Forestin. Këtë rrugëtim të ri, 20-vjeçari e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme: me fitore dhe duke e mbajtur portën e paprekur.



Nottingham Foresti shënoi fitore me rezultat 3:0 në ndeshjen kundër Atromitos Athens, e cila u zhvillua në stadiumin e qytetit të Peristerit në Greqi. Golat e fitores i shënuan Sammy Ameobi, Michael Dawson dhe Joe Lolley.

Tifozët e Nottighamit kanë shumë arsye për t’i gëzuar kësaj fitoreje bindëse, pasi që përveç nisjes me këmbë të mbarë në turneun parasezonal, veten e dëshmoi edhe futbollisti i sapotransferuar në skuadër, Arijanet Muriç.

Katër ditë më parë u zyrtarizua kalimi i Muriçit nga Manchester City në Nottingham si i huazuar për një sezon – sezonin 2019/20. Pikërisht në të njëjtën ditë u bë e ditur se kosovari ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare me kampionin e Anglisë.

Muriçi e dëshmoi pse e meritoi kontratën e re që e mban në Manchester City deri në vitin 2024 qysh në paraqitjen e tij të parë për Nottingham Forestin. Ai luajti për 63 minuta dhe e mbajti portën e paprekur.

Në minutën e 63-të, ai u zëvendësua nga portieri i dytë Costel Pantilimon, megjithatë kosovari besohet se do ta ketë vendin e siguruar në formacionin e parë për ndeshjet me karakter garues të sezonit të ardhshëm të Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli.