Op/Ed

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë: Administrative, politike dhe ushtarake

Nga Sheradin Berisha



Në 141 vjetorin e Lidhjes…

ROLI HISTORIK I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT (1878 – 1881)

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë:
– administrative,
– politike dhe
– ushtarake që prej kohës së Skënderbeut, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritjet e armatosura.

Ajo ishte e para lëvizje masive, e cila synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX – njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e tërësisë territoriale, në katër vilajetet shqiptare atë të Kosoves, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës dhe formimin e shtetit shqiptar autonom.


***

Lidhja Shqiptare e Prizrenit si organizatë, shenonte një hap të madh nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të vendit krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.

***

Lidhja Shqiptare e Prizrenit për herë të parë sfidoi prepotencën e Fuqive të Mëdha, agresivitetin e monarkive fqinje dhe arrogancën e Portës së Lartë.
Nën udhëheqjen e atdhetarëve më të përparuar, si:

– Abdyl Frashëri,

– Ymer Prizreni,

– Sulejman Vokshi,

– Shuaip Spahiu,

– Ahmet Koronica,

– Zija Prishtina,

– Mustafa pashë Vlora,

– Ali pashë Gucia,

– sheh Mustafa Tetova,

– Iljaz pashë Dibra (Qoku) etj.,

LSHP mundi t’i nënshtronte armiqtë e brendshëm, t’i izolonte bashkudhëtarët e përkohshëm dhe të merrte karakterin e një fronti të gjerë, duke e udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në ngritje, derisa arriti në veprën e saj më kulmore, në formimin e qeverisë së përkohshme shqiptare.

***

Një nga fjalimet që u mbajt mend në LSHP ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.

***

Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga ushtria e Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike.

***

Gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) u bënë hapa më të mëdhenj sesa gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike, në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila, për më tepër, u sanksionua edhe në llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.

***

Lidhja Shqiptare e Prizrenit i dha një shtytje të paparë deri atëherë edhe lëvizjes kulturore shqiptare. Përparimet e arritura brenda tre vjetëve të jetës së saj në fushën e mendimit shoqëror, të letërsisë publicistike dhe të krijimtarisë letrare ishin më të mëdha, sesa hapat e kryer gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.

***

Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë – në 28 nëntor 1912…
———————-
Shtojcë

KOMPLEKSI MONUMENTAL I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqet njërën nga periudhat më të ndritshme të historisë sonë Kombëtare, atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 – 1881). Objektet e këtij Kompleksi kanë vlera të shumta të arkitekturës sonë historike. Për këtë arsye ky Kompleks, më 26. 02. 1968 është vënë, nën mbrojtje të shtetit me vendimin nr. 260 të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Historike dhe Rariteteve Natyrore të Prizrenit. (Enti për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Komunës së Prizrenit, është themeluar me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, nr. 01/4434/67, të dt. 19.4.1967). Më 10 qershor 1968, në selinë e Rezidencës së Qeveritare të LSHP-së u hap Muzeu i LSHP-së, ndërsa me rastin e shënimit të 100 vjetorit të LSHP-së në vitin 1978, u pasurua edhe me:

– Sektorin e Etnologjisë,

– Sektorin e Arteve Figurative dhe

– Bibliotekën e specializuar për LSHP-në.