Op/Ed

Fotografia që tronditi ndërgjegjen tonë

Shkruan: Resul Sinani



Publikimi i fotografisë nga deputetja Flora Brovina, më tronditi si asnjë herë më parë, duke më prekur thellë në ndërgjegje. Një goditje e tillë e fortë, për një moment sikur m’i përmbysi të gjitha vlerat kulturore mbi të cilat besoj dhe më bëri të ndihem i pafuqishëm për të reaguar.

Që nga momenti kur e lexova lajmin dhe e pashë fotografinë, fjala TRONDITËSE më rrinte në mendje. Duket se të gjithë përjetuam një gjendje shoku dhe të gjithëve na ka prekur thellë në ndërgjegje. Edhe reagimet gjatë ditës shumica i kishim të çakorduara, histerike. Ajo foto e vetme, na bëri që secilit prej nesh të na vinin nëpër mendje shumë pyetje, përgjigjet e të cilave nuk mund t’i artikulonim assesi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe më tronditës ishte lajmi se fotografia nuk ishte nga lufta e Kosovës, por ishte marrë nga një film pornografik dhe se ajo fotografi qarkullonte nëpër internet që nga viti 2004.

Tmerr. E paimagjinueshme! Në ditën kur në Kuvendin e Kosovës, me dy dekada vonesë, do të diskutohej për idenë e themelimit të një Tribunali që do të gjykonte kr.imet serbe në Kosovë, një zonjë që ka vuajtur aq shumë në luftën e fundit, një aktiviste për të drejtat e njeriut prej një jete, një deputete e Kuvendit të Kosovës, nxjerr një fotografi të rrejshme, e cila jo vetëm që nuk ndihmon, por përkundrazi e lëndon dhe e pengon realizimin e idesë për një Tribunal për krimet serbe, ishte përtej çdo imagjinate, ishte përtej pritshmërisë së secilit prej nesh në raport me deputeten protagoniste.



Pse pikërisht ajo? Ku e mori fotografinë? Kush ia dha? Prej kur e ka pasur këtë fotografi? Pse nuk e ka publikuar më herët? Kush kishte interes për një manipulim të tillë? Sa e dëmton kauzën të cilën pas 20 vjetësh e ka ringjallur znj. Vasfije Krasniqi dhe një grup aktivistesh me aq mund e përpjekje?

Aq sa ishin pyetjet therëse, po aq ishin edhe përgjigjet që na shkonin nëpër mendje apo që ia thoshim njëri-tjetrit nëpër biseda.

Heshtja në fund mbizotëronte. Heshtja ishte ajo që fliste më zëshëm dhe na dërgonte 20 vjet prapa. Heshtja ishte ajo që lejonte të na vinin parasysh pamjet makabre të cilat i kemi përjetuar gjatë luftës.

E pas heshtjes, përsëri shumë pyetje të tjera.

Si ndihen viktimat e përdh.unuara? Si ndihen familjarët e tyre? Në çfarë gjendje janë ato? Çfarë tronditje kanë përjetuar ato? Pse të ju bëhet një akt i tillë? Pse?

Pse, sot, pas 20 vjetësh, pas kaq ditësh e netësh nëpër të cilat kushedi sa kanë vuajtur deri më sot dhe sa janë munduar të harrojnë dhe për një moment, ju kthehet gjithçka, që për një moment i shemb emocionalisht e shpirtërisht, një gafë epike e një deputeteje nga e cila nuk kërkohej asgjë më shumë se të heshtte, e të mos prekte mbi plagën e tyre!.

Aq i madh ishte shoku, aq e fortë ishte goditja, sa që secilin prej nesh na ka çekuilibruar.

Vet publikimi i fotografisë nga deputetja, nuk do të duhej të bëhej në atë mënyrë skandaloze, duke shkelur të drejtat e viktimave të supozuara, duke u shkelur privatësia dhe dinjiteti i tyre. Ishte si një përdh.unim për së dyti.

Publikimi i fotografisë së pa mbuluar në media ishte po ashtu skandaloz, shkelje e etikës së profesionit që nuk ka guxuar të ndodh.

Edhe më skandaloze ishin deklarimet politike në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Për fat të keq edhe kjo ngjarje tentoi që të shfrytëzohet për vota. E gërditshme!

Me të drejtë znj. Vazfije Krasniqi kishte shkruar “Ma plasët zemrën”.

E si mos të jetë kështu kur, ky veprim do të na kthehet Bumerang. Si mos të të plasë zemra kur një veprim i tillë do t’i shkaktojë dëm të pariparueshëm kauzës të cilës është duke i prirë me heroizëm zonja Krasniqi? Si, si e shumë si të tjera, kur ky veprim do të shfrytëzohet nga Serbia në çdo mjedis diplomatik, në çdo mundësi që i jepet, e deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të mohuar krimet monstruoze që i ka kryer në Kosovë?!

Mbrëmë shkrova në një status, apo më mirë të them rënkova duke thënë:

“Nëse nuk ke turp, bëj ç’të duash!”
Po pse bre zonjë në këtë moshë e turpërove veten? Amani te qoftë, jep dorëheqje, e mos e ha ketë turp me bukë!..

Ndërsa sot, po ia shtoj rënkimit tim edhe kërkesën për të treguar të vërtetën: Kush ta dha fotografinë dhe të bindi që ta publikosh?

Të tjerat do të jenë histori që do ta jetojmë të gjithë në ditët, muajt e vitet në vijim!