Shkencë

Hawking la sfidën e ekzistencës së shumë universeve

Të gjesh provën e ekzistencës së universeve të tjera, kjo ishte sfida e fundit e lëshuar nga fizikani Stephen Hawking, që pak ditë para se të vdiste i kishte dorëzuar një studim të ri një reviste të rëndësishme shkencore në të cilën hedh bazat matematike të kësaj sipërmarrjeje bashkë me Thomas Hertog, fizikan në Universitetin Katolik të Luvenit në Belgjikë.



“Ky ishte Stephen. Të shkosh me guxim atje ku Star Trek nuk guxoi. Është nominuar shpesh herë për çmimin Nobel dhe duhej ta kishte fituar. Tani nuk mundet më (çmimi nuk i jepet një personi që ka vdekur)”, tregon Hertog.

Punimi i fundit i Hawkingut titullohet “A Smooth Exit from Eternal Inflation?”, që bazohet në modelin e ashtuquajtur “inflacioni i përjetshëm”, që përkon me teorinë e shumë universeve.

“Ky është një skenar ku nuk ekziston vetëm një univers, por një pafundësi universesh, një lloji gjelle antike ku herë pas here ka një flluskë që rritet pafund duke krijuar kështu një prej universeve të mundshëm”, shpjegon Massimo Pietroni, doktor i fizikës së grimcave yjore në Universitetin e Parmës dhe studiues në Institutin Kombëtar të Fizikës Bërthamore, përcjell Telegrafi.

Ky skenar quhet multivers dhe parashikon që ai ku jetojmë është vetëm një prej universeve të mundshëm. Nga këtu Hawking ngre pyetjen se sa mundësi ka që të lindë një univers homogjen dhe i rregullt si i joni dhe nëpërmjet një qasje moderne që merr parasysh efektet gravitacionale dhe kuantike, arrin të thotë se është më e mundur nga se parashikohet, ndërsa numri i universeve të parashikuar është më i vogël se sa shifrat gjigante të vlerësuara deri sot.

“Ndonëse nuk është revolucionar, ky studim i Hawking është një punim i mrekullueshëm, i përditësuar me risitë më të fundit të prodhuara nga fizika teorike. Na tregon se edhe ditët e fundit të jetës së tij ishte në krye të kërkimit”, përfundon Pietroni. /Telegrafi/